Rrjeti i vjetër elektrik në teritorin e Komunës së Drenasit, zëvendësohet me rrjetin e ri. Kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku ka vlerësuar se ky është projekti më i madh që nga pas lufta në rrjetin elektrik
Kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku, ka pritur menaxherin e projekteve të Korporatës Elektrike të Kosovës, Florim Sylejmanin nga i cili edhe ka marrë konfirmimin e investimeve në rrjetin elektrik në fshatrat e Komunës. Më këtë rast është shpalosur edhe puna e cila do të kryhet ne teren, e që do të përfshihen në këtë projekt shumica e fshatrave që e kanë të dëmtuar rrjetin elektrik. Kryetari z. Nexhat Demaku ka falënderuar divizionin e KEK-ut në Prishtinë për financimin e këtij projekti dhe ka shtuar se kërkesat e Komunës kanë qenë të vazhdueshme për këtë qëllim në përmirësimin e rrjetit elektrik nga ai i vjetër ne të ri. Florim Sylejmani, menaxher i projekteve të KEK-ut, divizioni në Prishtinë, ka falënderuar Komunën për mbështetjen që i ka ofruar. Në kuadër të këtij projekti do të përfshihen fshatrat, Dobroshec, Gllanasellë Tërstenik, Gllobar, bashkësia e Komoranit dhe ajo e Arllati dhe disa vende të tjera.