Parkut të Biznesit në Drenas i është shtuar edhe një kompani serioze e prodhimit "Argos" e themeluar nga presidenti i kompanisë z. Salvatore Tafuno, ndërsa në inaugurimin e kompanisë merrnin pjesë, kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku, ministrja e MTI-së, znj. Hykmete Bajrami, ambasadori italian në Kosovë, z. Andreas Ferrarese dhe përfaqësues të kompanive të njohura në vendore dhe ndërkombëtare. Më rastin e inaugurimit të kompanisë "Argos", Kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku vlerësoj lart punën dhe cilësinë e kompanisë dhe u zotua se të gjitha bizneset vendore dhe të jashtme do i mbështesim duke ju krijuar ambient të volitshëm për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. "Fatmirësisht Parku i Biznesit në Drenas tani ka marrë formën e dëshiruar dhe janë vendosur 41 kompani prodhuese vendore dhe të jashtme, ndaj ne si Komunë do të vazhdojmë mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat duke ju ofruar ambient të volitshëm për ushtrimin e veprimtarisë prodhuese dhe shërbyese ku edhe do të gjeneronin vende të reja të punës", ka thënë kryetari Demaku dhe ka uruar të gjitha bizneset e vendosura në park për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Ndërsa ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, në veçanti ministria që ajo drejton prioritet kryesor ka zhvillimin ekonomik dhe si rrjedhojë e kësaj MTI-ja është shumë e interesuar të sigurojë përkrahje për bizneset, të cilat me punën e tyre mundësojnë hapje të reja të punës, ashtu siç është edhe ky investim italian. "Bashkëpunimi mes sektorit privat dhe publik është shumë i rëndësishëm, për të pasur një ngritje ekonomike, prandaj jemi të vendosur që të kemi një bashkëpunim në vazhdimësi me sektorin privat. Gjatë këtij mandati qeveria ka ndërmarrë disa reforma në dobi të bizneseve që merren me makineri prodhuese dhe heq taksat për importimin e lëndës së parë dhe ky përkushtim më se miri dëshmohet në këtë kompani sot", ka vlerësuar ministrja Bajrami e cila ka premtuar se shumë shpejt do të jetë funksional edhe inkubatori i biznesit që do të krijojë lehtësira për funksionalizimin e bizneseve. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe ambasadori italian në Kosovë z. Andreas Ferrarese, përfaqësues të kompanive të njohura vendore dhe ndërkombëtare dhe përfaqësues të bizneseve të vendosura në Parkun e Biznesit.