Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku me bashkëpunëtor komunal, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, familjar e qytetarë të shumtë, të mërkurën ne shenjë respekti për 15 vjetorin e rënies së tre dëshmorëve dhe 29 martirëve të fshatit Abri janë përkulur para varrit të tyre duke përkujtuar lavdinë dhe sakrificën e të rënëve për lirinë e Kosovës.
Me rastin e shënimit të 15 vjetorit të rënies së tre dëshmorëve të fshatit Abri, Vesel Demaku, Valdet Xhemajlaj, Afrim Hajdaraj dhe 29 martirëve janë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe vizita ne familjet e tyre nga udhëheqësit e institucioneve, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë. Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku, tha se rënia e tyre tregon më se miri historinë e lavdishme të popullit të Kosovës dhe sakrificën shekullore për lirin e vendit. “Ne jemi krenar për të gjithë ata që flijuan jetën e tyre dhe duke kujtuar të kaluarën e lavdishme frymëzohemi për të ardhmen”, ka thënë Demaku. Ndërsa kryetari i shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, tha se e vërteta e luftës se dinjitetshme dhe me plot merita tregohet më se miri në varret e atyre që dhanë jetën për brezat e ardhshme.