Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë ka filluar në realizimin e projektit për shenjëzimin vertikal dhe horizontal në rrugët kryesore brenda dhe jashtë qytetit.
Drejtoresha e kësaj drejtori, Lumnije Krapi, ka thënë se shenjëzimi i duhur, përveç që ndihmon ne orientimin e qytetarëve, është i rëndësishëm edhe për sigurinë e të gjithë pjesëtarët e trafikut. Krapi ka shtuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë do të vazhdoj të punojë në ofrimin e shërbimeve me të mira për sigurinë e udhëtarëve dhe transportit të mallrave.
Në kuadër të realizimit të këtij projekti, është bërë plotësimi i sinjalizimit të vendkalimeve hekurudhore, duke i pajisur me shenjat sinjalizuese siç janë shenjat stop, kryqi i andreut, shenjat për prezencën e binarëve, shenja që paralajmëron prezencën e trenit, sinjalizimi i rrugëve lokale, shenja kufizim i shpejtësisë, të rrezikut dhe fëmijë në rrugë.
Realizmi i këtij projekti është mirëpritur edhe nga ana e qytetarëve të cilët kanë theksuar se me vendosjen e shenjave po sigurohet qarkullimi i lirë dhe i sigurt i pjesëmarrësve në komunikacion.