Fillon ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën “Abedin Bujupi” në Arllat
Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Abedin Bujupi” në Arllat, se shpejti do të behët edhe me sallë të edukatës së fizikes. Të premten në oborrin e kësaj shkolle i është venë gurëthemeli për ndërtimin e këtij objekti sportiv.
Kryetari i Komunës së Drenasi dhe Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, kanë vënë gurëthemelin e sallën së edukatës fizike. Me këtë rast, kryetari Lladrovci ka falënderuar ministrin Bytyqi që ka arritur të sjell një sallë të sportit në Arllat për nxënësit dhe fëmijët e kësaj ane. “Ky projekt është shumë i mirëseardhur sidomos për shkollën e Arllatit, pasi që ka një performancë të jashtëzakonshme dhe ka dal shkolla më e mirë në Komunën tonë. Uroj që kushdo që vjen të na sjell projekte për shkollat”, ka thënë kryetari Lladrovci duke shtuar se gjimnazi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ka nevojë më së shumti për ndërtimin e sallës së edukatës sportive.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, u shpreh i kënaqur që po përmbushet zotimi i MASHT-it që shkolla e Arllatit të ketë kushte më të mira për nxënësit. Drejtoresha e shkollës, Sabahate Bytyqi, ka falënderuar ministrin Bytyqi dhe kryetarin Lladrovci për mbështetjen e dhënë kësaj shkolle.