Nen patronatin e Kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku të martën ka filluar Revista e Folklorit Burimor Shqiptar "Drenas 2014". Kanë marrë pjesë, kryetari Demaku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Mingjozi, drejtor të drejtorive Komunale, qytetarë të shumtë dhe kanë përformuar tetë shoqëri artistike dhe pesë rapsod.
Fillimisht kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku ka falenderuar pjesëmarrësit i cili mbahet çdo katër vite dhe ky është i 24 më radhë. "Përmes kësaj vlere kulturore për shumë vite janë paraqitur në skenë vlerat e mirëfillta të folklorit tonë burimor të të gjitha llojeve dhe është dëshmuar se populli ynë ka ruajtur dhe kultivuar të gjitha elementet me të lashta të kësaj pasurie nga ato më arkaike me karakter pagan të bësimeve popullore, pastaj baladave , këngëve epike legjendare, këngë historike, vallet burimore, lojërat popullore zbavitëse e deri të pasuria e materialeve etnografike", ka thënë kryetari Demaku. Ai ka vlerësuar se vlerat dhe përmasat e këtij festivali po pasurohen dhe vlerësohen edhe më shumë, pasi që paraqitja e veshjeve popullore të regjioneve dhe zonave të ndryshme etnografike po vlerësohet si thesar i veçant i kultures sonë materiale. "Gjatë këtyre ditëve ju do të keni mundësin të shihni qindra artist e artiste popullore, instumentist dhe rapsod nga Kosova, Shqipëria nga shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, arbreshët e Italisë, shqiptarët e Turqisë dhe diasporës të cilët do të dëshmojnë jo vetëm përpjekjet e bartësve të kësaj pasurie artistike për të ruajtur pastër dhe të paprekur trashegimin e saj, por edhe tablonë e bukur të shpirtit njerëzor" ka thënë kryetari Demaku. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemajl Mingjozi ka përgëzuar Komunën e Drenasit për organizimin e këtij festivali gjithëkombëtar dhe ka thënë se një festival i tillë me përmasa kombëtare duhet të çmohet dhe të vlerësohet. "Vlerat e folklorit burimor janë ruajtur me qindra vite përmes shfaqjes dhe mbajtjës së këtyre festivaleve", ka thënë ambasadori Mingjozi. Drejtori artistik i këtij festivali Ermir Dizdari ka thënë se janë bërë të gjitha përgaditjet që ky festival të mbahet në mënyrën me të mirë. Ndërsa drejtori i Revistës së Folklorit Burimor Shqiptar "Drenas 2014" ka thënë se për dallim nga vitet tjera, këtë vitë do të këtë ndryshim në raport me grupet pjesëmarrëse pasi që në sken do të përformojnë edhe grupi i Arbreshëve të Italisë, Zarës së Kroacisë dhe të Turqisë. Në këtë festival do të marrin pjesë 56 grupe, ansamble të ndryshme nga mbarë trevat shqiptare, ndërsa në skenën e festivalit do të përformojnë mbi 1500 përsona të cilët do të paraqesin vlerat burimore të traditës së folklorit anembanë shqiptare. Në natën e parë të Revistës së Folklorit Burimor Shqiptar "Drenas 2014" kanë marrë pjesë ARV "Lidhja e Prizrenit" nga Prizreni, Grupi Polifonik "Bibilejt" nga Mallakastra, SHKA "Shpresa" Velesht nga Struga, SHKA "Muharrem e Xhevat Qena" Romaj nga Prizreni, Ansambli Folklorik "Lungjeria" nga Gjirokastra, Ansambli i Folklorik "Mati" Qendra Kulturore nga Burreli, Grupi Folklorik "Mustaf Rama" nga Deçani, ndërsa kanë përfmouar edhe rapsodi Fatmir Makolli nga Prishtina, rapsodët Ali Krasniqi dhe Gani Maralia nga Malisheva, rapsodi Jeton Fetiu nga Kamenica, rapsodi Pjetër Matusha nga Lezha dhe rapsodët Zymer Kryeziu me vëllëzer nga Malisheva. Në natën e parë të festivalit janë prezentuar këngët dhe ritet e festave kalendarike, ritet popullore, këngët e punës, baladat, këngët epike, legjendare, melodit instrumentale, vallet burimore e tradicionale, lojërat popullore bashkë me veshjet tradicionale të kostumografisë. Kurse në natën e dytë të Revistës së Foklorit Burimor Shqiptar "Drenas 2014" do të marrin pjesë këto grupe dhe rapsod :
SHKA "Dasma" Pozhoran nga Vitia
SHKA "Bresana" nga Dragashi
SHKA "Bajram Curri" nga Prishtina
SHKA "Shotë Galica" ansambli i të rinjëve nga Drenasi
Grupi Folklorik "Visaret e Krrabës" nga Tirana
Grupi Folklorik "Ura Vajgurore" nga Berati
Grupi Folklorik "Çipini" nga Vlora
Grupi Folklorik nga Medvegja
SHKA "Sharri" nga Hani i Elezit
Rapsodët nga Klina, Hashim Shala nga Prishtina, Ramadan Krasniqi me vëllezër nga Malisheva dhe Shoqata e Rapsodëve nga Prishtina.
Festivali do të zgjasë deri më datë 13.09.2014 në sheshin "Fehmi Lladrovci" dhe të gjitha netët fillojnë nga ora 18:00