Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane, përkatësisht organizatën GIZ, kanë lansuar projektin "Gara për Mjedis të Pastër" (GMP), ku në këtë projekt është pjesëmarrëse edhe Komuna e Drenasit. Kjo është një skemë e granteve e bazuar në performancë dhe me qëllim të përmirësimit të shërbimeve komunale për menaxhimin e mbeturinave. Skema ofron stimulim për gjashtëmbëdhjetë Komuna për të përmirësuar qeverisjen e tyre, zgjeruar ofrimin e shërbimeve, rritur inkasimin dhe për të eliminuar deponitë ilegale. Kryetarët e Komunave, tani kanë mundësinë për të fituar investime kapitale për të siguruar një mjedis më të pastër për qytetarët e tyre.