Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skënder Hyseni, në kuadër të vizitave që është duke i bërë në Komunat e Kosovës, sot ka vizituar Komunën e Drenasit, ku është takuar me Kryetarin e Komunës, z. Nexhat Demaku dhe me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku temë diskutimi ka qenë parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunës, ndërsa është vlerësuar nga bashkëpjesëmarrësit gjendja e sigurisë në Komunën e Drenasit që nuk ka asnjë qytetarë të involvuar në konfliktet e jashtme dhe me asnjë vrasje që nga viti 2009.
Kryetari i Komunës se Drenasit, z. Nexhat Demaku gjatë takimit me ministrin z.Hyseni, ka njoftuar për gjendjen e sigurisë ne Komunën e Drenasit. "Komuna jonë vlerësohet për gjendjen stabile të sigurisë, pasi që nga viti 2009 nuk kemi asnjë vrasje dhe vlen të theksohet se Drenasi nuk ka asnjë qytetarë të involvuar në konfliktet e jashtme, në Siri apo Irak", ka thënë kryetari Demaku. Ai ka shtuar se për këtë gjendje stabile të sigurisë në qytetin e Drenasit është si rezultat i një bashkëpunimi të mirë me Stacionin Policor të Drenasit, bashkësitë fetare dhe qytetarët, ndërsa në theks të veçantë ka vlerësuar efikasitetin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Më pas, ministri Hyseni tha se "parandalimi është gjithmonë më i mirë se arrestimet, sepse kur kryhen arrestimet, sado që behët një vepër e mirë sigurie, megjithatë rastet kanë ndodhë, ndërsa me parandalimin e situatave të rrezikimit të sigurisë publike është një vepër që duhet bashkëpunuar me të gjithë akterët për të parandaluar çfarëdo lloj situate që kish me rreziku vendin. Kosova, sidomos Drenasi vlerësohet për tolerancë ndërfetare dhe për këtë arsye Këshillat për Siguri në Bashkësi kanë një rendësi shumë të madhe", ka thënë ministri Hyseni. Ai po ashtu ka shtuar se dukuria e shkuarjes në luftime të huaja, në emër të islamit, është gabimi më i madh që i bëhet vendit, pasi që dhuna, vrasjet dhe ajo luftë që bëhet, është në kundërshtim me të gjitha normat ligjore edhe atyre fetare dhe se është keqpërdorim i fesë islame. Drejtori i Drejtorisë Antiterrorizëm në Policinë e Kosovës, z.Fatos Makolli e ka vlerësuar si të qet gjendjen e sigurisë në Komunën e Drenasit, ndërsa komandanti i Stacionit Policorë në Drenas, z.Driton Morina që është edhe anëtar i KKSB-së, ka treguar për gjendjen në territorin e Komunës së Drenasit. Mehdi Kastrati, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, dhe anëtar i KKSB-së, ka vlerësuar se "Drenasi fatmirësisht është një nga Komunat me të qeta në sigurinë publike, por kjo gjë nuk duhet të na bëjë komod, por duhet të vazhdojmë të kontribuojmë të gjithë në ruajtjen e kësaj gjendje stabile.