Drenasi kalon nga zona e kuqe, në zonën e gjelbër
Sipas Vendimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me masat e reja kufizuese për mbrojtën nga pandemia covid-19, Komuna e Drenasit është kategorizuar me rrezik të ulët të infeksionit dhe ka kaluar nga zona e kuqe, në atë të gjelbër.
Lidhur me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe kryetari Lladrovci ka postuar në rrjetet sociale.
Ndërsa vendimin e Ministrisë e gjeni në këtë link; https://gllogoc.rks-gov.net/category/vendimet/
Postimi i kryetarit Lladrovci;
Qytetarë të komunës së Drenasit,
Nga sot, komuna e jonë, ka lehtësira rreth masave anti Covid, sepse jemi ranguar nga Ministria e Shëndetësisë në zonën e gjelbër të klasifikimit sipas rasteve me Covid për 100 mijë banorë.
Rangimi i komunës tonë në Zonën e gjelbër, mundëson punën e operatorëve ekonomikë, qendrat tregtare, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë, nga ora 5:00 deri në ora 20:00.
Pas kësaj ore, shërbimi i gastronomisë, mund të zhvillojë aktivitet me shërbimin: “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Zona e gjelbër mundëson punën e transportit publik me 50% të kapaciteteve, në pajtim me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid 19”, taksitë lejohen me një pasagjer prapa ose deri në tre pasagjerë nëse janë anëtarë të familjes, konform Manualit, ndërsa institucionet në varësi të MKRS në komunën tonë, ju lejohet puna deri në orën 20:00, me 30% të shfrytëzimit të sipërfaqes së objektit gjatë aktiviteteve.
Po ashtu, lejohen aktivitete sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësira të mbyllura mund të marrin pjesë 20 persona ndërsa gjatë garave, 50 persona, bazuar në “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid 19”. Kjo vlen edhe për fitnese e pishina, duke shfrytëzuar 40% të kapaciteteve, konform Manualit.
Qytetarë të nderuar,
Kërkoj respektimin dhe zbatimin e plotë të këtyre masave. Ruani veten, familjen Tuaj dhe shëndetin publik.
Bartni maskën, ruani distancën dhe mbani higjienën!