Drejtoria Komunale e Arsimit ndan mirënjohje për fituesit e garës ndërkombëtare të matematikës “Math Kangaroo Kosovo” në Komunën e Drenasit
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka ka ndarë mirënjohje për 4 nxënësit fitues të garës ndërkombëtare të matematikës “Math Kangaroo Kosovo” në Komunën e Drenasit që kishin fituar pikë më së shumti në testin ndërkombëtar të matematikës.
Rezultatet e kësaj gare në komunën e Drenasit ishin shumë inkurajuese dhe qëllimi i këtij testi ishte që t’i motivojë sa më shumë nxënësit për të studiuar matematikën dhe për të plotësuar veprimtari të tjera të cilat ndërlidhen me matematikën.
Nxënësit të cilët arritën rezultatet më të mira në garën e matematikës “Math Kangaroo” në Drenas janë si vijon;
- Venis Morina – klasa 10, shkolla SHMP “Fehmi Lladroci” 101 pikë, 84%
- Erjon Hasi – klasa 9, shkolla “Mehmet Akif” 101 pikë, 84%
- Diar Hajdari – klasa 5, shkolla “Rilindja”, 79 pikë, 66%
- Elson Morina, klasa 5, shkolla “Xheladin Gashi” 68 pikë, 57 %.
Drejtori Gjoka, ka përgëzuar nxënësit për suksesin e arritur dhe u dëshiroi suksese tjera në të ardhmen, po ashtu ka falënderuar edhe Koordinatorin Komunal të kësaj gare, Driton Bilalli për organizimin e kësaj gare.
Organizimi i testit “Kangaroo” është përgjegjësi e Institutit ATOMI, me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe me autorizimin e Asociacionit Kangourou Sans Frontieres (AKSF).
Kangaroo është gara më e popullarizuar në botë për matematikë, që ka për qëllim promovimin dhe popullarizimin e matematikës, si dhe përkrahjen e talenteve të fushës së matematikës.