Nga takimi i sotëm i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe Komunës së Drenasit me familjarë të 19 trupave të identifikuar të Çikatovës së Vjetër, caktohet rivarrimi i mbetjeve mortore më 17 prill 2015.
Sot u takuan në Drenas Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, z. Prenk Gjetaj dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku me familjarë të 19 trupave të identifikuar nga Çikatova e Vjetër e Drenasit, të gjetur në Rudnicë të Rashkës (Serbi). Ata vendosën që këta trupa të rivarrosen në varrezat e fshatit më 17 prill, në përvjetorin e ekzekutimit të tyre nga forcat kriminele serbe më 1999. Bashkërisht u pajtuan që atë ditë të mbahet një Akademi Përkujtimore në nderim të këtyre familjarëve të vrarë, kur edhe do të mbahet ceremonia e rivarrimit në orën 12:00. Ndërsa, mbetjet kockore të Rrahman M.Nikës, i gjetur bashkë me këta qytetarë të Çikatovës së Vjetër do të rivarrosen në fshatin Shkabë (ish Gllanasellë) në orën 14:00, në të njejtën ditë.