Sot, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Drenasit, u mbajt tubimi i parë publik me qytetarë për vitin 2026, në kuadër të obligimeve ligjore për transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.
Takimin e hapi Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve komunale.
Në këtë tubim, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, prezantoi raportin e punës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke informuar qytetarët për projektet dhe aktivitetet e realizuara në fusha të ndryshme, përfshirë infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, shërbimet publike dhe zhvillimin ekonomik.
Kryetari Lladrovci theksoi se qëllimi i këtij raportimi është informimi i qytetarëve për punën e institucioneve komunale gjatë gjashtëmujorit të parë, si dhe prezantimi i projekteve dhe aktiviteteve që janë planifikuar të realizohen gjatë gjashtëmujorit të dytë të këtij viti.
Gjatë prezantimit, ai foli edhe për sfidat me të cilat është përballur Komuna e Drenasit, duke përmendur ndikimin që kanë pasur pagesat përmes procedurave përmbarimore në buxhetin komunal, të cilat kanë ndikuar në dinamikën e realizimit të disa projekteve të parapara.
Pas raportimit të kryetarit, qytetarët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të japin sugjerime dhe të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me çështje të ndryshme me interes për komunitetin. Përfaqësuesit komunal ofruan sqarimet dhe përgjigjet e nevojshme, duke zhvilluar një diskutim të hapur dhe konstruktiv.
Tubimi publik dëshmoi përkushtimin e Komunës së Drenasit për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje të qytetarëve në proceset vendimmarrëse, me qëllim të avancimit të mëtejmë të zhvillimit të komunës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.