Më 5 Mars, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Efiçiencës së Energjisë, Komuna e Drenasit mirëpriti një sërë aktivitetesh me fokus në kursimin e energjisë dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme.
Aktivitetet nisën me një panel të rëndësishëm në Sallën e Kuvendit Komunal, ku Nënkryetari i Komunës z. Arben Shala mbajti një fjalim përshëndetëse ku theksoi që Komuna e Drenasit ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë një përkushtim të vazhdueshëm në fushën e efiçiencës së energjisë duke bërë investime në shumë projekte me buxhet komunal, nga donatorë dhe institucionet tjera qendrore. Ai shprehi mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare e sidomos nga Qeveria Gjermane përmes GIZ. Komuna e Drenasit është dhe do jetë e përkushtuar për bashkëpunim të plotë dhe trasparencë, duke i qendruar besnik prioriteteve dhe nevojave të qytetarëve.”
Ndërsa z. Daniel Alker, udhëheqës i sektorit për bashkëpunim zhvillimor në Ambasadën Gjermane, foli për përkushtimin Gjermanisë për të mbështetur Kosovën në tranzicionin e drejt energjetik. Gjermania dhe Kosova po bashkëpunojnë për të krijuar kushte më të mira për komunat, në mënyrë që ato të rrisin investimet në energjinë e ripërtëritshme – ashtu siç po veprojnë tashmë sot në fushën e efiçiencës së energjisë.
Në panelin e diskutimit morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, GIZ Kosova, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe ekspertë të sektorit. Diskutimi u fokusua në potencialin e efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme në nivel lokal, si dhe rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në këtë tranzicion të rëndësishëm energjetik.
Pas diskutimit me qytetarë në Komunën e Drenasit u mbajtën edhe aktivitet me nxënës ku të rinjtë patën mundësinë të vizitojnë shkollën SHFMU” Migjeni” ne Baicë, e renovuar me mbështetjen e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ku u informuan mbi masat e implementuara për kursimin e energjisë dhe përfitimet e tyre në mjedisin shkollor.
Aktivitetet përmbyllëse u fokusuan në kreativitetin e të rinjve, ku nxënësit prezantuan vizionin e tyre për një të ardhme të qëndrueshme përmes artit. Tre punimet më të mira u shpërblyen si shenjë e angazhimit të tyre për një mjedis më të gjelbër.
Ky organizim synon të fuqizojë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, duke i inkurajuar të jenë pjesë e tranzicionit të qëndrueshëm energjetik.
Këto aktivitete u organizuan nga Komuna e Drenasit, Instituti INDEP, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme më efiçiente dhe të gjelbër!