Më rastin e shënimit të 24 vjetorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës, ku janë nderuar të gjithë dëshmorët.
Në seancën solemne, merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kryesuesi i Kuvendit, Milaim Hajdari, anëtarë të Kuvendit, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues nga shoqata e dala nga lufta, prindër të dëshmorëve, përfaqësues nga Stacioni Policor në Drenas dhe përfaqësues nga KFOR.
Seanca është udhëhequr nga kryesuesi Milaim Hajdari, i cili tha në këtë ditë kujtojmë, nderojmë e përkulemi për të gjithë të rënët për lirinë e vendit.
“Kjo ditë shënon përkujtimin, përkuljen, sakrificën e popullit tonë, krenarinë për të kaluarën tonë, në mbrojtje të dinjitetit për të jetuar të lirë.
Shënimi I kësaj date të rëndësishme të histories tonë, krahas festës së pashmangshme reflektojmë ndjenjën e përgjegjësisë humane dhe kombëtare, për rrugën e vështirë në realizimin e synimeve historike”, shtoi tutje kryesuesi Hajdari.
Ndërsa, kryetari Ramiz Lladrovci, në fjalimin e tij në seancën solemne tha se Dita e Çlirimit, është data kur me nderim të thellë, kujtojmë gjithë sakrificën e qytetarëve të Drenasit, heronj, dëshmorë dhe martirë të lirisë.
I nderuari kryetar i Asamblesë, të nderuara asambleste dhe asamblistë,
Familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së, Organizata të dala nga lufta e UÇK-së,
Komandant i policisë, KFOR-it, znj. Kadire, zonja e zotërinj,
Gëzuar Dita e Çlirimit të komunës së Drenasit!
Në këtë ditë të veçantë për komunën tonë, më lejoni të shpreh nderimin e jashtëzakonshëm për çdo sakrificë dhe kontribut, për çlirimin e Kosovës për gjatë gati një shekulli okupim.
Në këtë seancë solemne, dua t’i kujtoj dhe shpreh nderimin e thellë për gjeneratat e tëra atdhetarësh, të cilët rezistuan kundër okupatorit serb. Ndarja e padrejtë e copëtimi i tokave tona në kongrese e konferenca, ngjau pa na pyetur neve, kur trojet tona trajtoheshin si plaçkë tregu për të përmbushur orekset e fuqive të mëdha, duke i bërë koncesione armiqve në dëmin tonë.
Kjo padrejtësi, pas gati një shekulli u korrigjua kur ushtria jonë e lavdishme, UÇK-ja filloi luftën dhe mori përkrahjen e NATO-s, fuqive perëndimore dhe botës demokratike në krye me Amerikën, për të arritur synimin për çlirim.
Në këtë ditë, dua ta përmend heroizmin e Ahmet Delisë e Azem Bejtës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, Rifat Berishës dhe Fazli Grajçevcit…për të arritur te Gani Syla, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Bedri Shala, Rasim Kiqina, Ilaz Kodra, dr. Hafir Shala, gjeneratë e cila qëndroi fuqishëm dhe vazhdoi rrugën e Komandantit legjendar, Adem Jasharit. Nderim edhe për të gjithë atdhetarët e çlirimtarët e gjallët që vdekja nuk i deshti.
Në këtë ditë solemne, dua të shpreh respektin tim të thellë, për të gjitha nënat, motrat, bijat e bashkëshortet të cilat i dhanë krah luftës për çlirim, të cilat u gjendën krah prindve, bashkëshortve, vëllezërve të vet për liri.
Shpreh nderim të thellë për të gjitha familjet e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, atdhetarët, kontribuuesit që në të gjitha format e luftuan okupatorin. Kjo tokë nuk i harron mundimçarët e saj, kjo tokë i nderon bijat e bijtë më të mirë që i rriti, për të kontribuar dhe për të dhënë gjithçka për liri.
Sot, neve dhe Kosovës i mungojnë heronjtë e luftës dhe paqes që padrejtësisht ndodhen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Sali Mustafa, Pjetër Shala…ne i presim me padurim të lirohen të pafajshëm duke u konfirmuar lufta jonë e pastër, e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare.
Sot këtu, dua të shpreh respektin për mësuesit tanë, arsimtarët e profesorët, të cilët me përkushtim ngritin gjeneratën e re, gjeneratën e cila do të marrë përgjegjësitë për zhvillimin e komunës, Kosovës dhe kombit.
Drenasi për këto 24 vjet, ka të arritura të cilat kurrë më herët nuk i pati në histori, por ne nuk do të ndalemi, do të bëjmë punë çdo ditë, do të punojmë edhe më shumë që liria të jetë mundësi për të gjithë, liria të jetë fushë e mundësive dhe gjasave të barabarta, që liria të jetë vlera më e madhe jona, e begatuar dhe pasuruar me idetë tona, me veprat tona që jetën e qytetarëve e bën më të lehtë, më të këndshme dhe ofron mundësi për të gjetur këtu lumturinë.
Dua nga këtu, të shpreh respektin tim për të gjithë qytetarët që e bëjnë ndryshimin pozitiv për vete dhe familjet e veta me punë – çdo ditë, në punën zyrtare, në kantieret e ndërtimit, në arat e fushat tona, në drejtimin e kompanive dhe bizneseve, duke na bërë krenar me punën e përkushtimin e tyre.
Dua të përshëndes për ditën e çlirimit, nxënësit tanë që po tregojnë suksese në çdo fushë, artistët, sportistët, dhe çdo lami që të rinjtë tanë i bën të lumtur.
Ne do të punojmë shumë, që amaneti i dëshmorëve të realizohet.
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Asamblistë, qytetarë të komunës së Drenasit, gëzuar dita e çlirimit!