Mbahet dëgjimi publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023
Komuna e Drenasit ka mbajtur dëgjimin buxhetor me qytetarë për të diskutuar Kornizën Afatmesme Buxhetore lidhur me projektet prioritare për periudhën 2021-2023.
Në këtë dëgjim, merrnin pjesë, nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi, drejtor të drejtorive komunale, administratorë të vendbanimeve, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë të shumtë.
Dëgjimi publik lidhur me KAB-in është mbajtur në Sallën e Kulturës, dhe takimin e ka prezantuar Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra i cili e ka përshëndetur takimin dhe ka treguar para të pranishmëve arsyen e këtij takimi.
Të pranishmit i ka përshëndetur nënkryetari Nazmi Hasi i cili ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar dhe ka shtuar se takimet e tilla kanë një rëndësi shumë të veçantë, sepse merren kërkesat fillestare direkt nga të pranishmit për projektet që janë të rëndësishme të realizohen në vendbanimet e tyre. “Këto diskutime janë shumë të rëndësishme, sepse merren kërkesat direkte nga qytetarët për projektet kapitale. Komuna për vitet në vazhdim ka planifikuar një buxhet bukur të mirë për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, ka thënë nënkryetari Hasi.
Drejtori për Buxhet e Financa, Shyqiri Bublaku ka paraqitur informatën se si është planifikuar buxheti për vitet në vazhdim.
Të pranishmit gjatë debatit për projeksionet buxhetore për vitet 2021-2023, kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat ishin të fokusuar në projekte që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës; rrjet të kanalizimit në lagje, asfaltim të rrugicave në vendbanime, ndërtimi i trotuareve, ndriçim dhe projekte të tjera.
Të gjithë të pranishmit janë pajisur me materialet e nevojshme për të diskutuar. Ata para vetës kanë pasur draft-listën e investimeve kapitale si dhe draft-buxhetin për vitet 2021-2023 dhe pasi kanë paraqitur kërkesat e tyre, Drejtori i Infrastrukturës Lokale, Endrit Gllareva i ka kthyer përgjigje të gjithëve se cilat janë mundësitë e komunës për t’u realizuar kërkesat e tyre.
Ndryshe, buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2021 është 15,727,74.00 euro, ndërsa nga kjo shumë për investime kapitale janë planifikuar 3,833,369.00 euro.
Nga aspekti ekonomik i shpenzimeve do të këtë 5 kategori kryesore të shpenzimeve, ndërsa në aspektin funksional në 20 programe-nënprograme.
Ky është dëgjimi i parë me qytetarë për të diskutuar Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023, ndërsa nga muaji maj i këtij viti është bërë thirrja publike për të kontribuar në KAB, ndërsa më datën 22.06.2020 ky draft-dokument do të diskutohet edhe në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa si dhe në mbledhjen e Kuvendit e cila do të mbahet në fund të këtij muaji.
Pas kalimit të këtyre fazave të planifikimit të cilat parashihen edhe me ligj, në muajin gusht, dëgjimet buxhetore do të zhvendosen në lokalitetet e Komunës së Drenasit për t’u përgatitur lista finale e projekteve për investime kapitale dhe kategorive të tjera të buxhetit për vitin 2021.