Me rastin e 7-Marsit, Ditës së Mësuesit, në ambientet e sallës së kulturës në Drenas, sot është mbajtur akademi solemne. Në akademi morën pjesë kryetari Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi dhe drejtorë, mësimdhënës e nxënës të shkollave të Drenasit. Me pjesëmarrjen e tyre nderuan edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës e përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.
Pas intonimit të himnit shtetëror dhe kombëtar, nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu” prezantuan videon e përgatitur për këtë rast, ku ndër të tjerash u theksua rëndësia shkollës shqipe gjatë rrugëtimit drejt lirisë.
Në fjalën e tij kryetari Lladrovci mes të tjerash tha se mësimdhënësit kanë hapur shtigjet e diturisë, me dashurinë e madhe për dijen, për kombin për çlirimin dhe se ne kujtojmë heroizmin dhe përkushtimin e armatës së mësuesve ndër shekuj, të cilët përndiqeshin, vetëm pse donin ta arsimonin kombin tonë, ta shkruanin gjuhën e bukur shqipe e të përhapnin dritën e diturisë.
Ndërsa, në fjalën e tij Drejtori i Arsimit, Muhamet Gjoka porositi mësimdhënësit që ta fisnikërojnë edhe më tej profesionin dhe misionin e mësimdhënies për shtetndërtim dhe që të vazhdojmë rrugën aty ku e lanë mësuesit tanë të cilët sakrifikuan çdo gjë për liri dhe shtetformim.
Në vlerësim të punës dhe përkushtimit në mësimdhënie, kryetari Lladrovci ka ndarë mirënjohje për mësimdhënës të dalluar e veteranë të arsimit të komunës së Drenasit. Me mirënjohje post-mortum u nderua edhe Gani Sylaj, mësimdhënës, aktivist i dalluar i çështjes kombëtare dhe ish-nënkryetar i Komunës së Drenasit.
Në përfundim të akademisë, u shfaq edhe një program artistik me këngë e recitime nga nxënësit e shkollave të Drenasit.