Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, kryetari i Komunës së Drenasit ishte nikoqir i një debati të organizuar në Shkollën e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” me nxënësit e Drenasit, me temën ”Promovimi i vlerave të BE-së, rëndësia e gjithë përfshirjes në procesin integrues”.
Me kryetarin Lladrovci, pjesëmarrës në panel ishin Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimit Evropian, Ambasadori gjerman, Christian Heldt dhe Alba Boshnjaku, bursiste e Young Cell Scheme.
Në fjalën e hapjes kryetari Lladrovci pasi falënderoi shtetin dhe popullin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme tha se komuna e Drenasit i ka përqafuar vlerat të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian duke promovuar pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, transparencën, mbrojtjen e mjedisit dhe të arritura tjera.
Kryetari i njoftoi të rinjtë për bashkëpunimin të jashtëzakonshëm me shkollat gjermane, holandeze, finlandeze, bashkëpunim i cili përveç të tjerash bëhet edhe në formë të vizitave të ndërsjella. Gjithashtu, u tha se Komuna e Drenasit është e vetmja komunë ku të gjithë studentët që kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për bursë kanë përfituar nga donatorët dhe dashamirët e arsimit.
Ministrja Hoxha tha se arsyeja për përzgjedhjen e Drenasit për të diskutuar promovimin e vlerave të BE-së është se komuna e Drenasit ka vendosur një standard të mirë për barazinë gjinore duke u ofruar mundësi të barabarta grave dhe burrave në struktura udhëheqëse.
Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, vlerësoi angazhimin për procesin integrues, dhe kërkoi plotësimin e kërkesave që dalin në kuadër të zbatimit të reformave, MSA-së, ERA-s, luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe çështjeve të të rinjve si punësimi, aftësimi dhe përkrahja institucionale.
Alba Boshnjaku diskutoi rreth përvojave të saj dhe mundësive të ofruara nga programi Young Cell Scheme, duke i ftuar të rinjtë të jenë aktiv dhe kërkues të mundësive.
Në fund, nxënësit shtruan pyetje të shumta për panelistët.