Komuna e Drenasit ka shënuar 14 vjetorin e ditës së Çlirimit dhe ditën e Dëshmorëve. Për të përkujtuar sakrificën e këtij vendi kanë marrë pjesë shumë personalitete, Deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Fadil Demaku e z.Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku, përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, z.Muharrem Xhemajli e z.Xhavit Jashari, përfaqësues të Policisë së Kosovës, të FSK-së, KFOR-it dhe shumë qytetarë të tjerë.
Agjenda e 14 qershorit për Drenasin ka qenë më shumë aktivitete të ndryshme. Fillimisht në orën 10:00 janë bërë homazhe pran përmendores së qytetit me emrat e dëshmorëve. Kurse në orën 11:00 është mbajtur seanca solemne e Kuvendit Komunal. Në fjalimin e kryetarit të Komunës, z.Nexhat Demaku ka thënë se ne këtë ditë të rëndësishme përkujtojmë të gjithë ata që flijuan për lirinë e këtij vendi. Kjo është dita kur përkujtojmë sakrificën e gjithë atyre dëshmorëve dhe martirëve që dhanë me të shtrenjtën, jetën e tyre për lirin e vendit. Çlirimi i Drenasit dhe i gjithë Kosovës është kulmimi i përpjekjeve madhore të shumë brezave që vepruan dhe sakrifikuan për çështjen kombëtare. Vlerat e mijëra dëshmorëve që flijuan jetën e tyre për vendin, martirët dhe viktimat të luftës që kurrë nuk iu nënshtruan pushtetit të huaj, na bënë neve sot që të jemi jo vetëm krenar, por edhe të përgjegjshëm për vlerat e tyre për të vazhduar punën në zhvillimin e vendit. Kryesuesi i Kuvendit Komunal, z.Naim Bazaj, ka vlerësuar se vlerat e luftës së lavdishme të UÇK-së, sot po gjykohen jo drejt dhe pa asnjë bazë ligjore nga EULEX-i. Kurse kryetari i OVL-së, z.Muharrem Xhemajli ka ritheksuar se mandati i EULEX-it duhet të rishikohet për të mos mbetur ligjvënës ekzekutiv. Xhemalji ka shtuar se vlerat e luftës së drejt të UÇK-së sot përkujtohen me plot krenari se populli kosovar ka mbrojtur me dinjitet tokën shekullore.
