Njëra ndër tri komunat prirëse me digjitalizim të shërbimeve administrative komunale, Drenasi ka shënuar hapa të mëdhenj. Së fundit, shërbimi elektronik i inkasimit në e-Arkën komunale është suksesi që ka dëshmuar, por edhe dhënë impulse edhe komunave tjera për të sprovuar digjitalizimin e shërbimeve administrative.
Komuna e Drenasit ka nisur zbatimin e e-Qeverisjes se suksesshme në digjitalizimin e arkës Komunale, ku tani shërbimet kryhen përmes arkes digjitale dhe jo pagesës me paragon. Duke u mbështetur në aplikacionin e MAPL-së, gjithë pagesat dhe kërkesat e qytetarëve kalojnë nëpërmjet arkës digjitale komunale –e-Arka. Kompania e kontraktuar nga MAPL-ja –DataProgNet ka aftësuar zyrtarët komunalë që merren si me pagesat, ashtu dhe me pranimin e kërkesave të qytetarëve, siç janë edhe zyrtarët e gjendjes civile që të përdorin inkasimin dhe numrin unik të protokollit në kërkim automatik sipas numrit personal në aplikacionin e gjendjes civile. Tanimë bllokat Uniref janë pothuaj e kaluar për zyrtarët e komunës së Drenasit. Palëve në qasjen në shërbimet tona vetëm njëherë u kërkohet letërnjoftimi –thonë zyrtarët e administratës. Dy zyrtarët më përgjegjës për zbatimin e programit të Teknologjisë Informative në komunë, drejtori i Administratës, Xhemë Binaku dhe administrator i TI, Ukë Krasniqi, që kanë dhënë edhe kontributin e tyre në nxjerrjen e dokumentit Agjenda Digjitale Lokale për e-Komuna 2013 si kryesues të Kolegjiumeve sektoriale, i japin mbështetje të parezervë zbatimit të kësaj teknologjie të re për të avancuar shërbimet komunale ndaj qytetarëve. Ne po përpiqemi që të avancojmë tërë proceset e ofrimit të shërbimeve administrative ndaj qytetarëve për të qenë në shërbim të tyre në një të ardhme jo të largët tërë kohën, pra 24 orë në shtatë ditët e javës (24/7), thekson Xh. Binaku. Sipas këtij aplikacioni, qytetarëve u janë kursyer mijëra euro nga taksa që ua merrnin më herët bankat komerciale në vlerën prej një euro për shërbimin –thotë U. Krasniqi. Ata kanë treguar angazhim edhe në hartimin e projekteve duke marrë edhe mbështetje buxhetore nga Kuvendi i Komunës.