Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave përkrahur nga Komuna e Drenasit kanë nisur aktivitetin me moton “Dëgjo zërin tim, mos rri indiferent”, për të identifikuar rastet e keqtrajtuara në luftën e fundit në Kosovë dhe për t’i përkrahur grat që të mos heshtin në vuajtjen e tyre.
Projekti ka për qëllim rritjen e efektivitetit në mbrojtjen e nevojave të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ndërsa synimi themelor është identifikimi i të gjitha rasteve të keqtrajtuara (të dhunuara nga forcat serbe). Drejtoresha e QPDG-së, Kadire Tahiraj, ka falënderuar Komunën për përkrahjen që i kanë dhënë dhe ka shtuar se qëllimi i këtij projekti është identifikimin e të gjitha rasteve të dhunës dhe të rrisin qasjen e grave që kanë përjetuar dhunën seksuale dhe torturën gjatë luftës. “Projekti do t’u ndihmoj grave për të tejkaluar përvojën e tyre traumatike dhe për të adresuar të drejtën e tyre për lëvizje nga statusi i viktimës, në pjesëmarrëse aktive në shoqëri. Të mbijetuarat e dhunimit nuk duhet të ndihen të turpëruara e as fajtore, faji duhet të zhvendosur tek kryerësit e veprave”, ka thënë ajo. Përmes këtij projekti do të zhvillohen trajnime me viktimat, ndërsa qëllimi kryesor është që ato të mos heshtin, por heshtjen të bëjnë zë të fuqishëm për të nisur procedurat gjyqësore që kryerësit e veprave të marrin dënimin e merituar.