Në një takim që ka zhvilluar kryetari i Komunës së Drenasit, z.Nexhat Demaku me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian z.Reinhart Knop dhe me kryeshefin e Agjencionit të Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës, z. Valdet Gjinovci është diskutuar për fillimin e procedurave administrative në ndërtimin e fabrikës së përpunimit të mbetjeve organike dhe atyre shtazore.
Ky projekt i një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe rajonin, do të investohet nga Komisioni Evropian dhe vlera e tij kap shumën rreth 8 milion euro. Kryetari Demaku, ka shprehur gatishmërinë e Komunës mbi kompetencat ligjore që ka, për krijimin e të gjitha kushteve në realizimin e këtij projekti në dinamikën e caktuar. “Ky projekt është i mirëseardhur për Komunën e Drenasit dhe me gjerë, vlerësoj se ndërtimi i kësaj fabrike do të ofroj kushte dhe mundësi të reja të zhvillimit ekonomik, sidomos në këtë sektorë që i ka munguar Kosovës dhe rajonit”, ka thënë kryetari Demaku. Përfaqësuesit e BE-së kanë thënë se me ndërtimin e kësaj fabrike do të punësohen dhjetëra punëtor. Projekti do të përkrahet nga Komuna e Drenasit, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Agjencioni i Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës, ndërsa financimin e këtij projekti do të bëjë BE-ja. Lokacioni i kërkuar për ndërtimin e kësaj fabrike do të jetë përballë Parkut të Biznesit, që kjo zonë ne të ardhmen e afërt do të krijohet Zonë Ekonomike e Kosovës dhe i nevojitet 2 deri në 3 hektar hapësirë për ndërtim. Fabrika do të këtë tri kapacitete prodhuese; energjinë elektrike, prodhimin e ushqimit për bagëtitë përmes mbetjeve organike dhe shtazore, si dhe përmes avullit do të mundësohet nxehja qendrore për të gjitha bizneset përreth fabrikës. Zotimet e BE-së ishin se fabrika do të ndërtohet sipas teknologjisë se avancuar pa e ndotur ambientin.