Në shënimin e 15 vjetorit të masakrës së Poklekut, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku kanë bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Poklek, ndërsa pasdite është mbajtur akademia përkujtimore në shënimin e kësaj dite.
Kryeministri Thaçi ka thënë se masakra e Poklekut është një nga masakrat më të rënda që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës. “Ky fshat dhe e gjithë Drenica kanë dhënë shumë për shtetin e Kosovës, këtu ushtria dhe policia serbe ka bërë masakra ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve, prandaj jemi këtu për të kujtuar dhe respektuar këtë sakrificë”, ka thënë Thaçi. Ai pastaj ka vizituar edhe familjarët e masakrës së Poklekut. Ndërsa pasditen e së enjtes në sallën e Kulturës është mbajtur akademia përkujtimore. Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku tha se kjo akademi përkujtimore është njëra ndër ngjarjet me të dhimbshme në Kosovë. “Pokleku i Drenasit ishte njëra ndër ngjarjet me të tmerrshme nga barbarizmi serb që nuk kurseu fëmijët, pleqtë dhe grat. Ky rast tregoi veprat kriminale të pushtuesit, por edhe vlerat e popullit tonë për liri e dinjitet njerëzor për mbrojtjen e vendit. Fëmijët, pleqtë dhe gratë në Poklek janë dëshmi se ne këtë vend u ndeshën vlerat njerëzore me krimin serb”, ka thënë Demaku. Ndërsa aktivisti çështjes kombëtare, Adem Demaçi tha se Kosova sot frymon lirshëm falë atyre që ranë për lirin e vendit dhe ne kemi për detyrë që të dërgojmë amanetin e tyre deri ne vend. Kurse Daut Demaku tha se “të vdekurit për vetën e vet nuk mund të bëjnë asgjë, por ne të gjallët mund të bëjmë shumë që t’i ndrisim vlerat dhe lavdit e tyre”, ka thënë Demaku. Muharrem Xhemajli ka folur ne emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kurse Skënder Muqolli ne emër të familjarëve që ka akuzuar drejtësinë ndërkombëtare për mos veprim ne zbardhjen e masakrave dhe tmerreve ne Kosovë.