Komuna e Drenasit, ka organizuar takim me qytetarët e Komunës së Drenasit për të diskutuar prioritetet strategjike për vitet 2015-2017. Në takimin me publikun, ka marrë pjesë kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku, drejtor të Drejtorive komunale, përfaqësues të fshatrave dhe shumë qytetarë të tjerë.
Kryetari i Komunës, Nexhat Demaku, ka falenderuar të pranishimit për pjesmarrje dhe ka thënë se qytetarët janë ata të cilët japin kontributin kryesor për prioritetet të cilat caktohën për vitet në vijim. “Korniza do të jetë dokumenti bazë për përcaktimin e prioriteteve të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve të Komunës dhe shpërndarjen e të hyrave komunale për periudhën 2015-2017”, ka thënë kryetari Demaku. Drejtori i Financave, Hamdi Krasniqi ka sqaruar të pranishmit për të hyrat komunale për planifikimin e buxhetit për vitet 2015-2017, ndërsa ka theksuar se për vitin e ardhshëm buxheti i Komunës do të jetë me i madh për rreth 8 për qind, apo gjithsejt afro 12 milion euro. Të pranishmit kanë paraqitur kërkesat e tyre fillestare për prioritetet për vitin e ardhshëm, që kryesisht kanë qenë për asfaltim të rrugicave, përfundimin e kanalizimeve në lagje dhe përfundimin e projekteve të ujit. Për të finalizuar projekt-buxhetin për vitin 2015, Komuna e Drenasit do të organizoj edhe dëgjime tjera publike gjatë procesit të përpilimit të buxhetit ku do të mbahen takime në bashkësi lokale.