Komuna e Drenasit, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, z. Nexhat Demaku ka mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar 17 vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Gjeneral Major Bedri Shala ku merrnin pjesë; kryetari Demaku, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, përfaqësuesi i familjes Lladrovci, Tush Lladrovci, deputeti i Kuvendit të Kosovës, z.Fadil Demaku, përfaqësues të Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, familjar e bashkëluftëtar të heroit si dhe qytetarë.
Fillimisht kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku me bashkëpunëtor kanë bërë homazhe tek varri i heroit Bedri Shala pastaj në sallën e kulturës është mbajtur akademia përkujtimore. Kryetari Demaku në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoj se lufta e lavdishme UÇK-së dhe largimi i forcave kriminale serbe mbetet njëra ndër arritjet më të mëdha të kombit shqiptar në shekullin e kaluar. "Përballja me një pushtues të tillë siç ishin serbet, mund të dilje nëse kishe të mishëruara në personalitete ndjenja të fuqishme liridashëse që kërkonin guxim e kurajë të jashtëzakonshme deri në flijim. Ne jemi dëshmitarë të kohës, se patëm heronj të tillë dhe njëri prej tyre është edhe Bedri Shala, i cili u lind dhe u rrit në një familje që kishte brumosur fuqishëm këto virtyte tek të gjithë vëllezërit Shala të cilët shquhen duke marrë përgjegjësi si udhëheqës e luftëtarë kudo që kishte nevojë UÇK-ja. Bedri Shala dhe bashkëluftëtari i tij i pandashëm deri në rënien heroike Bekim Berisha, përveç që ishin luftëtarë të jashtëzakonshëm duke udhëheqë në betejat më të shquara të UÇK-së, ata mbeten edhe sinonim se UÇK-ja ishte organizim i përmasave nacionale, ku më nuk kishte rajone të ndara e rezistencë të izoluara që e kishin përcjellë shumë herë popullin shqiptarë në histori, por se tani kishte një mobilizim të përgjithshëm dhe një organizim të mirëfilltë. Të nderuar të pranishëm, 17 vite pas nga rënia heroike e Bedri Shalës dhe gjithë dëshmorëve tjerë të kombit, shteti i Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit e përparimit si një vend i qytetëruar dhe me perspektivë. Por duke ecur në këtë rrugë të ndjehemi krenarë për të kaluarën tonë, ku sa më shumë që nderojmë dhe respektojmë luftën tonë të lavdishme, dëshmorët e kombit dhe sakrificën e madhe që kanë bërë do të jemi më unik, më të faktorizuar dhe me të respektuar nga bota e qytetëruar, në të kundërtën do të stagnojmë, sepse nëse nuk e duam dhe e respektojmë vetën tonë, ku mund të gjejnë arsye të tjerët për një gjë të tillë.", ka thënë kryetari në fjalimin e tij. Një histori të luftës së lavdishme të heroit Bedri Shala e ka lexuar prof.dr. Ibrahim Gashi ku ndër të tjera theksoi se Bedriu me shokë herët kishte shpalosur idealet e tij për lirin e vendit duke treguar aspiratat dhe synimet kundër regjimit të atbotshëm serb. Xhavit Dauti ka folur ne emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, ndërsa të pranishmit i ka përshëndetur përfaqësuesi i familjes Shala, Xheladin Shala. Kujtojmë që për nder të heroit Bedri Shala është mbajtur për dy javë turnini memorial në futboll të vogël "Bedri Shala 2015" ku merrnin pjesë dhjetra ekipe, ndërsa finalja e tyurnirit është mbajtur me 09.08.2015 në Palestrën Sportive në Drenas.