Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim me, Divizionin për siguri në bashkësi të MPB-së, ICITAP –in, Policinë e Kosovës dhe EVSB-të (Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi), ka planifikuar dhe realizuar organizimin e disa aktiviteteve (tryezave të rrumbullakëta) nëpër Komunat e Kosovës. Me përkrahjen e Kuvendit Komunal të Drenasit një aktivitet i tillë u mbajt në Drenas me titullin “Inspektorati Policor i Kosovës, roli dhe rëndësia në sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës” .
Lidhur me rëndësinë e këtij aktiviteti dhe rolin e Inspektoratit Policor të Kosovës në sundimin të ligjit në Kosovë gjatë fjalëve të rastit folën Kryetari i Kuvendit Komunal z. Nexhat Demaku, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Në këtë aktivitet zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës prezantuan informacione lidhur me fushëveprimin e IPK-së duke u përgjigjur edhe në pyetjet e qytetarëve prezent.
Zyrtarët e IPK-së para qytetarëve të Drenasit theksuan se “prezenca e IPK-së afër qytetarëve do të thotë mbështetje për realizimin e të drejtave të tyre, ndërsa prezenca e IPK-së, afër policisë do të thotë përkrahje për fuqizimin e integritetit dhe rritjen e kredibilitetit të Policisë së Kosovës”.
Organizimi i aktiviteteve të tilla ka për qëllim që Inspektorati Policor i Kosovës, të jetë më afër qytetarëve të Kosovës duke ofruar informacione për fushë-veprimtarinë e IPK-së dhe projektet e iniciuara si “ Hapja e Zyrave Rajonale të IPK-së”, “Kutia e Ankesave” dhe “Linja e kaltër” (linja pa pagesë për qytetarët përmes numrit 080003333).