Anëtar i Kuvendit
Subjekti Politik: Bashkimi Demokratik
Tel: 049-888-683
E-mail:arber.halilaj@rks-gov.net
Arbër Halilaj është lindur në Tërdefc të Drenasit, më 13.01.1970, nga prindërit Xhyla Morina-Halilaj (amvise) dhe Isak Halilaj (arsimtar, veteran arsimi). Tiparet njerëzore e profesionale të babait, patën ndikim që nga fëmijëria në formimin e karakterit dhe personalitetit të Arbrit, i cili që në vegjëli rrethohej nga librat.
Shkollimin fillor e kreu në Drenas (ish-Gllogoc) në shkollën fillore “Rasim Kiçina (ish-V. Bashkim), ku dallohej për sukses të jashtëzakonshëm në mësime dhe në aktivitete të lira. Pas kësaj, ka kryer Gjimnazin në Drenas – drejtimi Matematikor-Natyror, duke qenë prej nxënësve më të dalluar të gjeneratës. Në vitin e dytë të gjimnazit përfaqësoi Kosovën në garat federative të gjuhës frenge, në Podgoricë. Ka studiuar Makineri Prodhuese në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës (1988-1993), ndërsa gjatë shërbimit në TMK (1999-2003) ka kryer me sukses të lartë edhe studimin në Programin Intensiv të Gjuhës Angleze në Universitetin e Indianës, Bloomington (SHBA) në vitin 2002. Gjatë punës si menaxher në Raiffeisen Bank Kosova, ka përfunduar Akademinë e Menaxhimit të Degës-Niveli Profesional (2015-2016), një certifikim i lartë profesional për menaxhment, e poashtu ka përfunduar me sukses edhe trajnime të shumta e certifikime të tjera në fushën e udhëheqjes, shitjes, menaxhimit dhe shërbimit ndaj klientëve.
Specifikisht, përvoja e tij e punës nis nga maji 1996 dhe përfshin poste të larta menaxheriale e drejtuese në kompani e institucione të ndryshme, si Shef i Administratës në SHP të TMK, Drejtor Ekzekutiv në DAXA Electronic, Menaxher nëndege në Raiffeisen Bank, Drejtor Operacional në “R&Rukolli” shpk., Drejtor i Shitjes dhe Anëtar i Bordit në “Besa Security” shpk., kurse tani është Menaxher i Burimeve Njerëzore në kompaninë ”Valdrin Sahiti” shpk. Karriera e punës mbi 26 vjeçare dhe përvoja në zhvillimin e biznesit, trajnimin e ngritjen profesionale të stafit, implementimin e projekteve dhe menaxhimin operacional, ka bërë që Arbri të njoh vlerën e punës ekipore dhe bashkëpunimit kolegial, përkushtimin për shërbim të shkëlqyer ndaj klientëve dhe rëndësinë e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve cilësore.
Si person me aftësi të larta intelektuale, komunikim të qartë, argumentues efektiv dhe debatues aktiv në çdo situatë, Arbri gjatë tërë karrierës së tij ka dëshmuar aftësi lidershipi, nivel intelektual politik dhe aftësi organizative. Arbri në decenien e fundit ishte aktiv si qytetar dhe poashtu në politikën lokale në Drenas, duke promovuar parimet e interesit të përgjithshëm qytetar dhe progresit të Drenasit. Ka ndihmuar në konceptimin e programit dhe poashtu bashkëthemeloi I.Q. “Green për Drenas” me opozitarin Xhavit Drenori, duke u zgjedhur anëtar i kësaj iniciative në Asamblenë Komunale të Drenasit, si zë i fuqishëm në përfaqësimin e qytetarëve të komunës sonë. Për shkak të mundësive më të mëdha organizative dhe programore, që nga themelimi është bashkangjitur në themelimin e partisë “Bashkimi Demokratik”, ku tani është Nënkryetar dhe poashtu ka fituar vendin e Antarit të Asamblesë Komunale nga ky subjekt.
Zotëron në nivel superior gjuhën amtare, ndërsa flet dhe shkruan në nivel profesional gjuhën angleze dhe atë serbo-kroate. Shkruan poezi, analiza dhe opinione politike dhe shkrime tjera lidhur me tematika shoqërore. Është i martuar me Sevdijen dhe kanë dy djem, Lorikun dhe Etritin.