Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka shpallur konkursin letrar për manifestimin tradicional “Sofra Poetike – Ymer Elshani 2026”.
Ky aktivitet, i cili organizohet që nga viti 1994, synon të promovojë krijimtarinë letrare dhe të mbështesë autorët vendorë, duke përfshirë si shkrimtarët e afirmuar ashtu edhe talentet e rinj.
Në kuadër të këtij konkursi do të ndahen çmime për vendin e parë, të dytë dhe të tretë për poezitë më të mira në dy kategori, si dhe një shpërblim special “Sofra Poetike – Ymer Elshani”.
Sipas kushteve të konkursit, krijimet duhet të jenë në gjuhën shqipe dhe secili konkurrues mund të marrë pjesë vetëm me një punim, i cili duhet të dorëzohet me shifër.
Të interesuarit mund t’i dërgojnë krijimet e tyre fizikisht në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit, ose në mënyrë elektronike përmes emailit: Fatlinda.Zymberi@rks-gov.net
, më së largu deri më 15 prill 2026.
Manifestimi “Sofra Poetike – Ymer Elshani” do të mbahet më 20 prill 2026, në ora 11:00, në Sallën e Shtëpisë së Kulturës në Drenas, ku do të bëhet edhe prezantimi i krijimeve dhe ndarja e çmimeve për fituesit.
Për më shumë detaje rreth kushteve të konkursit, të interesuarit mund të informohen përmes njoftimit të plotë të publikuar në ueb faqen zyrtare të Komunës së Drenasit në këtë link: https://gllogoc.rks-gov.net/shpalljet/